Transmetuar më 28-04-2017, 16:43

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot zgjedhjen e presidentit të ri, ku kandidat është Ilir Meta, ndërsa theksoi se ky i fundit është mbështetës i PD, pa qenë i selisë blu.

Në një takim me banorët e Kamzës, teksa shpërndau legalizimet, i pari i qeverisë pohoi se edhe pse PD do kishte mundësi të votonte një president që i ka mbështetur, sërish do e votojë mazhoranca.

"Më me PD, pa qenë i PD, as PD nuk e gjente dot. Do shkojmë ta votojmë se dhe duke votuar presidentin për llogari të PD, do ta votojmë ne", tha Rama.

Ndërkohë më herët komisioni i ligjeve u mblodh për të shqyrtuar kandidaturën e Ilir Metës për president të Republikës. Në fjalën e saj, deputetja socialiste Vasilika Hysi deklaroi se kandidatura e Metës plotëson kriteret kushtetuese.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të vijojë me raundin e katërt me kandidaturën e Metës, i cili plotëson kriteret kushtetuese”, ka thënë Hysi.

Në mbledhje Hysi bëri të ditur se janë 23 deputetë të cilët kanë firmosur për Ilir Metën. Firmëtarët janë të gjithë deputetët e LSI-së  dhe të PDIU-së.

Ndërkaq asnjë deputet i PS-së nuk ka firmosur që Ilir Meta të jetë kandidat për President. Por në mbledhjet e zhvilluara në selinë rozë, PS ka dhënë mbështetjen e plotë për Metën. /b.l/noa.al/