Transmetuar më 28-04-2017, 15:48

Komisioni i ligjeve është mbledhur për të shqyrtuar kandidaturën e Ilir Metës për president të Republikës. Në fjalën e saj, deputetja socialiste Vasilika Hysi ka deklaruar se kandidatura e Metës plotëson kriteret kushtetuese.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të vijojë me raundin e katërt me kandidaturën e Metës, i cili plotëson kriteret kushtetuese”, ka thënë Hysi.

Në mbledhje Hysi bëri të ditur se janë 23 deputetë të cilët kanë firmosur për Ilir Metën. Firmëtarët janë të gjithë deputetët e LSI-së  dhe të PDIU-së.

Ndërkaq asnjë deputet i PS-së nuk ka firmosur që Ilir Meta të jetë kandidat për President. Por në mbledhjet e zhvilluara në selinë rozë, PS ka dhënë mbështetjen e plotë për Metën.

Deputetët që kanë firmosur janë: Luan Rama, Petrit Vasili, Kejdi Mehmetaj, Edlira Çekani, Ylli Shehu, Silva Caka, Bujar Derveni, Pirro Kapurani, Robert Bitri, Flamur Çelaj, Gledion Rehovica, Përparim Spahiu, Agron Çela, Monika Kryemadhi, Spartak Braho, Petrit Gjoni, Bujar Kllogjri, Edlira Çekani, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda, Aqif Rakipi, Parid Cara, Luan Duzha.

Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme për të votuar për Presidentin e ri të Republikës. Me propozim të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me pëlqimin e Partisë Socialiste, kryeparlamentari Ilir Meta është emri zyrtar i propozuar për postin e kreut të shtetit.

Seanca parlamentare kur pritet votimi do të mbahet në orën 17.00 dhe vjen pas djegies së tre raundeve të para, kur për zgjedhjen e Presidentit duhej një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla. Ndërkohë në raundin e katërt mjafton miratimi me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. /b.l/noa.al/