Transmetuar më 28-04-2017, 14:22

Ish- Presidenti Alfred Moisiu e sheh kandidaturën e Ilir Metës për President si një zgjedhje të goditur.

Madje ai bën edhe një parashikim, duke thënë se Meta do jetë 10 vjet në krye të shtetit.

Moisiu shprehet se në situatën e vështirë politike ku mungon dialogu dhe vendi është përfshirë në ngërç Ilir Meta është promovuar si një aktor i rëndësishëm për stabilitetin politik në vend.

Ai thotë se kandidatura është e qartë tani, sepse konsensusi në një mazhorancë është i plotë dhe shpreh bindjen që në situatën aktuale është një zgjidhje nga më të goditurat.

"Pse e them këtë?! Sepse Ilir Meta është njeri që në vazhdimësi ka manifestuar frymën e konsensusit me shumë sukses. Pra është një arritje e tij personale, është edhe një përvijim i figurës së tij politike, i tendencës së tij politike që të ketë ballancë me forcat politike. Është shumë e rëndësishme tek ne veçanërisht në situatën e sotme politike dhe unë gjykoj që kjo punë ka marrë fund, pavarësisht se procedurat kanë radhën e tyre. Me këtë rast unë dua ta uroj paraprakisht, mbase jam edhe i pari që e uroj Ilir Metën për këtë punë”, tha Moisiu në një prononcim për “Ora News”.

Ai shton se Meta do të thyejë edhe tabunë e një mandati pesë vjeçar të Presidentëve shqiptarë.

Në këtë linjë shton se deri tani të gjithë presidentët kanë bërë nga një mandat, por nënvizon se me raportin që ka Ilir Meta qoftë me të majtën apo me të djathtën, do ketë një vazhdimësi prej dy mandatesh.

Mosiu deklaron se Meta do jetë i pari që do bëjë 10 vjet President. /a.y/noa.al