Transmetuar më 28-04-2017, 13:42

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të rikthehet këtë fundjavë në universitetin ku ka studiuar, “Grand Valley State University” në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, tashmë jo si student, por si një nga tre folësit e nderit që do të mbajnë një fjalim përpara tre mijë studentëve në ditën e tyre të diplomimit.

Veliaj do të ndajë me ta eksperiencën e tij në Shqipëri, si dhe modelin e ndryshimit të Tiranës gjatë dy viteve në drejtimin e Bashkisë.

Kjo nuk është hera e parë që kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësohet si model suksesi nga universiteti “Grand Valley” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më herët, ky universitet në faqen e tij zyrtare i ka bërë një vlerësim tepër pozitiv kryebashkiakut të Tiranës. Madje, në faqen e universitetit Grand Valley State, është publikuar edhe një përshkrim për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar atë si një histori suksesi të studentëve të dalë prej këtij universiteti.

Gjithashtu, kryetari Veliaj do të zhvillojë edhe një takim me homologen e tij, kryebashkiaken e qytetit Grand Rapids, Rosalynn Bliss.