Transmetuar më 28-04-2017, 12:02

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se qeverisja jashtë Kushtetutës dhe ligjit është tirani. Duke folur sot nga çadra e dhjetë e protestës në ditën e 70 të saj, tha se koha kur në Shqipëri imponohej vullneti i pakicës ndaj shumicës me diktaturë, ka shkuar për të mos u kthyer kurrë më.

Sipas tij Edi Rama dhe pazari i peshkut që është qelbur nga koka dhe se mazhoranca ekziston vetëm për një arsye, për t’u pasuruar dhe për të mbrojtur interesat e veta, pasi Shqipëria për ta është plaçkë.

Ai tha se Edi Rama opozitën e do si alibi për të nxjerrë në treg gjithçka që ky vend ka zyra, pozicione, madje dhe Presidentin, përveç karriges së tij.

Kreu i opozitës deklaroi se sot shpaloset qartë parë çdo shqiptari dhe para të majtëve që besonin se me Edi Ramën Shqipëria do të reformohej.

“Edi Rama është kërcënimi më real ndaj shpresave të çdo shqiptari, të majtë e të djathtë. Dita e sotme konfirmon katërcipërisht se këta konsiderojnë gjithçka plaçkë të tyre. Këtu ka përfunduar posti i Presidentit që pasi i hoqën me ligj çdo kompetencë dhe shndërruan në një zyrë me më pak përgjegjësi si drejtori i postës në Vlorë, tani e konsiderojnë si rifuxho, si plaçkë për të mbyllur pazarin e pistë me anë të të cilit mendojnë se do të asgjësojnë demokracinë shqiptare”, u shpreh ai.

Më tej tha se sot Edi Rama ka firmosur dështimin e tij total për reformën në drejtësi.

Ai këmbënguli nevojën për qeveri teknike, duke thënë se “Që orën e parë të qeverisë teknike do bëhet Vettingu, që Edi Rama bën sikur e do por që i trembet si vampiri dritës së diellit”.

Ai akuzoi Kryeministrin se do që të shmangë gjykimin e ndershëm me votë. /a.y/noa.al