Transmetuar më 28-04-2017, 10:51

“Asnjë të mos mungojë në seancën parlamentare për zgjedhjen e Presidentit”. Është kjo porosia e dhënë nga Kryeministri Edi Rama për deputetët socialist, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të paradites së sotme.

Në këtë mënyrë Rama kërkon që të mos ketë asnjë mungesë, në mënyrë që të jenë votat e plota për të zgjedhur Ilir Metën President.

Mbledhja e grupit të PS vjen ndërsa Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme për të votuar për Presidentin e ri të Republikës.

Me propozim të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me pëlqimin e Partisë Socialiste, kryeparlamentari Ilir Meta është emri zyrtar i propozuar për postin e kreut të shtetit.

Seanca parlamentare kur pritet votimi do të mbahet në orën 17.00 dhe vjen pas djegies së tre raundeve të para, kur për zgjedhjen e Presidentit duhej një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla.

Ndërkohë në raundin e katërt mjafton miratimi me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. /a.y/noa.al