Transmetuar më 28-04-2017, 10:10

Deputeti Ben Blushi, njëherësh kryetar i partisë LIBRA, del kundër kandidaturës së Ilir Metës si President.

“Nuk e votoj Ilir Metën”, shprehet i prerë ish- deputeti i Partisë Socialiste, i cili jep edhe shpjegimin për qëndrimin e tij. Ai thotë se ka patur të drejtë kur ka thënë se kriza po hyn në krizë.

Sipas tij, Ilir Meta kërkon të zgjidhet President në mes të krizës, për shkak të krizës dhe në kurriz të krizës, për t’i ikur krizës.

Blushi deklaron se kur të gjithë duhej të lëshonim diçka për të lehtësuar peshën e anijes së Shqipërisë që po mbytet, “ky mori edhe atë pak pushtet që kishte mbetur”.

Në një postim të bërë në Facebook, Blushi shkruan, “Ilir Meta u bë President nga frika dhe jo nga shpresa. Ilir Meta është Presidenti i Rilindjes dhe jo i popullit. Është Presidenti i të shkuarës jo i të ardhmes. E si mund ta votoj? LIBRA voton vetëm të ardhmen”.

Ky qëndrim vjen ndërsa Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme për të votuar për Presidentin e ri të Republikës. Me propozim të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me pëlqimin e Partisë Socialiste, kryeparlamentari Ilir Meta është emri zyrtar i propozuar për postin e kreut të shtetit.

Seanca parlamentare kur pritet votimi do të mbahet në orën 17.00 dhe vjen pas djegies së tre raundeve të para, kur për zgjedhjen e Presidentit duhej një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla. Ndërkohë në raundin e katërt mjafton miratimi me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. /a.y/noa.al