Transmetuar më 28-04-2017, 09:17

Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme për të votuar për Presidentin e ri të Republikës. Me propozim të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me pëlqimin e Partisë Socialiste, kryeparlamentari Ilir Meta është emri zyrtar i propozuar për postin e kreut të shtetit.

Seanca parlamentare kur pritet votimi do të mbahet në orën 17.00 dhe vjen pas djegies së tre raundeve të para, kur për zgjedhjen e Presidentit duhej një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla.

Ndërkohë në raundin e katërt mjafton miratimi me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Pas takimeve intensive mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasditen e së enjtes, LSI doli me dy emra kandidatësh Ilir Metën dhe ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili. Por kryesia e Partisë Socialiste dha unanimisht mbështetjen për kreun e Kuvendit.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ‘Top Story’ tha se Ilir Meta ka akses tek të gjithë edhe pa qenë President, dhe se këtë punë tani do ta bëjë si President.

“Meta është zgjidhja ideale edhe për Partinë Demokratike. Edhe sot Ilir Meta është kandidat për President që vjen natyrshëm sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President. Po të mos ishte kjo situatë, Meta do të ishte në krye të betejës për të marrë edhe më shumë deputetë dhe për të qenë në vazhdimësi pjesë e jetës politike aktive”, tha Rama. /a.y/noa.al