Transmetuar më 27-04-2017, 21:10

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për situatën e tensionuar në Maqedoni, ku thotë se qytetarët presin dalje nga kriza dhe jo dhunë.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, ministria thekson se dhuna është e papranueshme.

 “MPJ po ndjek nga afër dhe me shqetësim. situatën e krijuar në Maqedoni. Dhuna atje është e papranueshme. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen e vendit nga kriza”, shkruan njoftimi. 

Diplomacia shqiptare u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni të tregojnë vetëpërmbajtje, të mos përdorin retorika nxitëse që mund të përkeqësojnë situatën.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike, si dhe të përparimit euroatlantik të vendit”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndërkohë, pas zgjedhjes së Xhaferit si kryetar Kuvendi, protestues pro Gruevskit kanë pushtuar Kuvendin dhe kanë sulmuar Zaevin dhe deputetin shqiptar, Zijadin Sela. /k.k/noa.al/