Transmetuar më 27-04-2017, 19:40

Qytetarët janë mbledhur në sheshin qendror të Prishtinës, në pritje të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ata po festojnë lirimin e Haradinajt nga Gjykata në Colmar të Francës. Aty nuk mungon as tupani dhe këngët, ndërkohë, numri i qytetarëve po vazhdon të rritet.

Gjykata franceze në Colmar sot ka marrë vendim që të liroj ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, mbi të cilin rëndonin akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhej, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Pas katër muajve, sa është mbajtur në Francë, Gjykata në Colmar, ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Pas marrjes së vendimit, Haradinaj është paraqitur para gjykatës, ku e kanë pritur disa simpatizantë të tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.