Transmetuar më 27-04-2017, 19:21

Ndërsa deputetët e LSDM dhe partive shqiptare në Kuvend kërkonin që të vazhdojë seanca dhe të votohej kryeparlamentari i ri, protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të Bashkuar” thyen barrikadat e forcave të sigurisë dhe mësynë drejt hyrjes së Kuvendit.

Protestuesit maqedonas kanë hyrë në ambientet e brendshme të Parlamentit, ku kanë pushtuar korridoret.

Një pjesë e madhe e tyre kanë pushtuar edhe dyert e tjera hyrëse. Njësitet speciale policore nuk kanë penguar depërtimin e protestuesve.  Deputetët e maxhorancës së përbërë nga LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeparlamentar janë mbyllur në sallë dhe janë nën mbrojtjen e forcave të sigurisë së Kuvendit, por edhe nga forcat policore.  Ndërkohë, në seancën e Kuvendit, deputetët e VMRO-DPMNE kanë bërë thirrje që të gjithë maqedonasit të bashkohen dhe të kundërshtojnë platformën e Tiranës, siç e quajnë ata dhe të pengojnë grusht-shtetin që po ndërmerret nga LSDM  me partitë shqiptare.