Transmetuar më 27-04-2017, 18:03

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Kavajë me të rinjtë që votojnë për herë të parë. Rama akuzoi ish-qeverinë e djathtë se për çerek shekulli e ktheu Kavajën në kazanin e tradhtisë duke e lënë në harresë të plotë dhe tani kërkon të rikthehet për të ndaluar orën e Kavajës dhe për të bllokuar rrugën e saj drejt së ardhmes.

“Kavaja u kthye në kazanin e tradhtisë për çerek shekulli nga Saliu, e lanë në pikë të hallit pa asnjë mbështetje, pa rrugë, pa drita pa shpresë dhe sot duan të rikthehen në Kavajë, dhe jo të rikthehen në një garë për t’u gjykuar me votë, por duan të rikthehen për të bllokuar rrugën e Kavajës drejt së ardhmes”, u shpreh Rama.

Më tej Rama akuzoi lidershipin demokrat se po kërkon ta fusë Kavajën në konflikt. Por kryeministri u shpreh besimplotë se demokratët e arsyeshëm nuk do të bëhen mish për top për ata që janë futur në çadër nga frika e drejtësisë.

“PD asgjë nuk bëri për Kavajën, e la atë pa asnjë mbështetje. Sot duan të kthehen për ta futur Kavajën në konflikt, për të përplasur qytetarët”, ka thënë Rama.

Duke shprehur besimin se, “demokratët e ndershëm nuk do të pranojnë të bëhen mish për topat e kësaj marrëzie”, kreu i qeverisë ka ritheksuar nevojën për votimin e reformës në drejtësi, e bllokuar tek vettingu. 

“Drejtësia na duhet për ta bërë Shqipërinë shtet. Për të rritur ekonominë dhe punësimin duhet drejtësi. E drejta nuk blihet e as shitet, ajo na bën njerëz të barabartë në një vend demokratik”, ka thënë Rama. /b.l/noa.al/