Transmetuar më 27-04-2017, 16:30

Nesër në orën 17:00 të pasdites do të mbahet raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Vendimi për seancën u mor sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve menjëherë pas mbylljes së punimeve të Kuvendit që ezauroi edhe raundin e tretë pa asnjë kandidat të propozuar.

Në seancën plenare, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, apeloi kryeparlamentarin Meta të reflektojë. Ultimatumi ndaj tij ishte i qartë: “Ose LSI bashkon votat me PS për zgjedhjen e Presidentit, ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”. Ruçi kujtoi se PS ka pritur për të arritur një konsensus dhe jo për mungesë votash, por sipas tij dhe durimi e ka një kufi.

“Ose të zgjedhim presidentin ose të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Sa për dijeni ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona që i kemi pasur dhe po të duam i kemi 71 vota dhe për të zgjedhur presidentin pa LSI, por unë shpresoj të mos na detyroni të shkelim mbi moralin, sepse PS nuk dëshiron të zgjidhë me forcën e numrave. U takon juve si forcë politike që jeni vendosur si intelokutor mes palëve dhe thashë do flas troç keni anuar nga pala tjetër”, u shpreh Ruçi.

Gjatë fjalës së tij, Ruçi akuzoi Metën për lojë të dyfishtë në tryezën me negociatorët gjermanë. “Gjermanët na kërkuan diçka që në vendin e tyre nuk do ta bënin kurrë, të shtynim zgjedhjet dhe të linim qeverinë. E për çfarë arsyeje? Që të pushojnë të qarat e opozitës, që kërkon penalltinë, topin dhe portën bosh.

Ju zoti kryetar u treguat shumë i lumtur në tryezë, kryeministri nuk tha as po e as jo, por la të kuptohet se jemi të gatshëm të diskutojmë, por vetëm me një kusht, që PD të vijë e të votojë vettingun. Pa kaluar as 5 minuta, zoti Basha iku. Zoti Meta, unë pyes, çfarë po ndodh kështu? Njerëzit po shohin se si na merr peng një çadër, që hallin e ka tek vettingu dhe drejtësia dhe përgjigja është vetëm një, koha e dialogut ka mbaruar”, ka thënë Ruçi. /b.l/noa.al/