Transmetuar më 27-04-2017, 15:33

Edhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit ka dështuar. Raundi tjetër është parashikuar që të zhvillohet nesër, por mazhoranca nuk ka ende asnjë emër dhe propozim.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi se PS i ka votat për zgjedhjen e presidentit, por kërkon që zgjedhja të bëhet me konsensus. Ai shtoi se nëse nuk zgjidhet, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“O të zgjedhim presidentin o të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Sa për dijeni ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona që i kemi pasur dhe po të duam i kemi 71 vota dhe për të zgjedhur presidentin pa LSI, por unë shpresoj të mos na detyroni të shkelim mbi moralin, sepse PS nuk dëshiron të zgjidhë me forcën e numrave. U takon juve si forcë politike që jeni vendosur si intelokutor mes palëve dhe thashë do flas troç keni anuar nga pala tjetër”, u shpreh Ruçi.

Më tej ai theksoi se raundi i tretë për zgjedhje e Presidentit u dogj sepse opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e Kuvendit. “Sot dogjëm raundin e tretë edhe pse kemi votat që në raundin e parë. Opozita nuk erdhi. Ju na kërkuat para një jave në Hotel Dajti që ne tu jepnim dakordësinë tonë që ju ti drejtoheshit me një letër PPE të cilët në përvojën time asnjëherë nuk kanë qenë shumë dashamirës me PS.

Megjithatë ne ramë dakord dhe ju i çuat ftesë atyre. Si duket ne socialistëve këta ndërkombëtarët na kanë marrë dorën. Mendoni për një çast ta kishin bërë këtë me palën tonë kundërshtare. Nuk ka ndodhur në asnjë rast jo vetëm të thellohen por të mos pranohen asnjë ndërmjetësim. Na kërkuan të thellohemi jashtë çdo logjike normale, kushtetuese, demokratike.”, deklaroi Ruçi. 

Gjatë fjalës së tij, Ruçi akuzoi Metën për lojë të dyfishtë në tryezën me negociatorët gjermanë. “Gjermanët na kërkuan diçka që në vendin e tyre nuk do ta bënin kurrë, të shtynim zgjedhjet dhe të linim qeverinë. E për çfarë arsyeje? Që të pushojnë të qarat e opozitës, që kërkon penalltinë, topin dhe portën bosh. Ju zoti kryetar u treguat shumë i lumtur në tryezë, kryeministri nuk tha as po e as jo, por la të kuptohet se jemi të gatshëm të diskutojmë, por vetëm me një kusht, që PD të vijë e të votojë vettingun. Pa kaluar as 5 minuta, zoti Basha iku. Zoti Meta, unë pyes, çfarë po ndodh kështu? Njerëzit po shohin se si na merr peng një çadër, që hallin e ka tek vettingu dhe drejtësia dhe përgjigja është vetëm një, koha e dialogut ka mbaruar”, ka thënë Ruçi.

Ndërkohë me djegien e raundit të tretë ditën e sotme, Partia Socialiste që nuk ka një emër djeg edhe mundësinë për të zgjedhur Presidentin me 84 vota.

Sipas Kushtetutës, raundi i tretë i votimit është deçiziv për zgjedhjen e kreut të shtetit me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. Raundi i tretë, ashtu si dy raundet e ezauruara, kërkon që kandidati për President që do të regjistrohet në Kuvend me 20 firmat e deputetëve, duhet të marrë jo më pak se 84 vota, pra një shumicë të cilësuar votash.

Ndërkohë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nëse kandidati për President në raundin e katërt nuk merr tre të pestat e votave, atëherë ai mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash, pra 71 votat e shumicës në Parlament. /b.l/noa.al/