Transmetuar më 27-04-2017, 15:13

Digjet edhe raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës për shkak të mungesës së një emri për kandidat.

Lajmi është konfirmuar mesditën e sotme në seancën plenare të planifikuar nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve,  Vasilika Hysi e cila deklaroi se Komisioni priste emra për kandidatë në 13:00, por nuk ka pasur as sot asnjë emër të bërë publik.

“Sipas afateve të caktuara dhe rregullores, konstatoi se deri në afatin e caktuar asnjë kandidaturë për Presidentin e ri nuk është depozituar në Kuvend”, tha Hysi.

Me djegien e këtij raundi Partia Socialiste që nuk ka një emër djeg edhe mundësinë për të zgjedhur Presidentin me 84 vota.

Sipas Kushtetutës, raundi i tretë i votimit është deçiziv për zgjedhjen e kreut të shtetit me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. Raundi i tretë, ashtu si dy raundet e ezauruara, kërkon që kandidati për President që do të regjistrohet në Kuvend me 20 firmat e deputetëve, duhet të marrë jo më pak se 84 vota, pra një shumicë të cilësuar votash.

Ndërkohë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nëse kandidati për President në raundin e katërt nuk merr tre të pestat e votave, atëherë ai mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash, pra 71 votat e shumicës në Parlament. /b.l/noa.al/