Transmetuar më 27-04-2017, 13:26

Kryeministri Edi Rama thotë se në vazhdim të ditës së sotme është parashikuar raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit. Duke folur sot në seancën parlamentare, kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë për t’i qëndruar besnik linjës së bërë publike, që të zgjidhet një President për të gjithë shqiptarët.

Ai tha se do të ishte shumë e dëshiruar që Partia Demokratike të merrte pjesë në këtë proces dhe për këtë arsye, shtoi Rama, është përshëndetur pika e parë të platformës së kompromisit nga i dërguari i Partive Popullore Europiane për ti dhënë mundësi zgjedhjes së një Presidenti sa më konsensual.

“Por me sa duket nuk është ende e mundur të parashikohet se kur PD do të rikthehet në rrugën e arsyes. Pasnesër skadon afati për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e 18 qershorit. Sigurisht që ne do të respektojmë afatin dhe ditën datën e përcaktuar nga Presidenti sipas Kushtetutës së Republikës, për të shkuar përpara popullit dhe për të marrë me votë gjykimin e tij për këtë mandat që po shkon drejt mbylljes”, u shpreh Edi Rama.

Ai tha me vendosmëri se zgjedhjet do jenë më 18 qershor dhe se vend për lojëra nuk ka më, por edhe se koha për dialog po skadon.

Lidhur me takimet me negociatorët ndërkombëtarë, deklaroi se u provua me fakte se mazhoranca është gati për dialog pa kushte dhe se ky qëndrim është i sinqertë.

Kryeministri tha se u prit me krahë hapur i dërguarin e Partive Popullore Eeuropiane, një personalitet i lartë i Parlamentit Europian, kryetar i komisionit të jashtëm dhe një nga përfaqësuesit më në zë të partisë së kancelares Angela Merkel, David McCalister, bashkë me eurodeputetin Knut Fleckenstain.

“Pranuam në pak sekonda platformën e kompromisit të propozuar prej tyre, pasi ata takuan kreun e PD, propozuan një tryeze dialogu. Shkuam në tryezë me krahë hapur për të folur pa kushte për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme dhe aty kemi gjetur për fat të keq jo PD dhe kryetarin e saj, por miqtë dhe partnerët evropianë. Një skenë që uroj të mos përsëritet kurrë në politikën shqiptarë, ku dy palët rrinë në dhoma të ndara për të komunikuar me ndërmjetës të huaj”, deklaroi Rama.

Ai informoi se u propozua shtyrje e datës së zgjedhjeve deri në 16 korrik dhe mundësia për të prekur qeverinë në poste kyçe që lidhen me sektorë ku mund të ketë influencë të drejtpërdrejtë qeveria mbi zgjedhje.

Rama bëri me dije se përgjigja e tij ka qenë e qartë, “nuk kam thënë po, nuk kam thënë jo, por jemi të hapur ta diskutojmë… por ‘vettingun’, pa ‘vettingun’ nuk kemi çfarë diskutojmë tjetër”.

Ai sqaroi se kjo do të thotë se ‘vettingu’ është arsyeja se pse është gjymtuar Parlamenti, pse është ngritur çadra dhe pse PD nuk shkon në zgjedhje.

“Jemi në këto kushte që e mira do ishte të gjitha partitë të shkonin para popullit por mendojmë se popullin askush nuk e ndal që ditën që cakton Kushtetuta për të gjykuar partitë, të gjykojë partitë. Jemi angazhuar për proces të plotë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Kryeministri.

Më tej, lidhur me një video të publikuar në media ku një mësuese u thoshte nxënësve se pasditen e sotme do prisnin në Kavajë Kryeministrin, kreu i qeverisë deklaroi se ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e ka shkarkuar menjëherë.

Ai hoqi një paralele, duke thënë se ka plotë video të mësuesve në çadrën e protestës së opozitës, duke thënë se atyre nuk do ju hyjë asnjë gjemb në këmbë.

Në këtë linjë shtoi se nuk do të tolerohet asnjë lloj ndikimi politik brenda ambienteve të shkollës dhe se po ashtu mësuesit do jenë të lirë të ushtrojnë profesionin në shkollë, ndërsa tha se jashtë mureve të shkollës janë të gjithë të lirë të bëjnë çfarë të duan.

Po ashtu Kryeministri deklaroi se mësuesit që do bëjnë politikë në klasë do përjashtohen nga sistemi. /a.y/noa.al