Transmetuar më 27-04-2017, 13:05

Nis puna për rikualifikimin urban të një tjetër blloku banimi në Njësinë Administrative Nr. 2, një nga 50 projektet e ngjashme që do të zbatohen këtë vit në Tiranë për shtimin e hapësirave çlodhëse në qytet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve në bllokun pranë Ambasadës Amerikane dhe nënvizoi se kjo zonë, edhe pse një nga më të populluarat, prej vitesh nuk kishte njohur asnjë ndërhyrje për përmirësimin e jetës së mbi 5 mijë banorëve që jetojnë aty.

“Kjo zonë njihet si zona e Ambasadës Amerikane dhe në fakt, nga Amerika na ndan një mur. Në anën tjetër murit ka civilizim, gjelbërim, ndërsa në këtë anë baltovinë, sepse këtu s’kishte vënë dorë njeri prej 35 vitesh edhe pse jetojnë 5 mijë banorë, shumë afër qendrës së Tiranës. Deri më sot këtu kishte kanalizime të hapura dhe rrjete të ujësjellësit plasnin duke mbushur lagjen”, tha Veliaj, duke siguruar qytetarët e zonës se shumë shpejt do të përfundojë rehabilitimi i 24 mijë metrave katrorë.

“Do të kemi edhe 150 vende parkimi, që qytetarët të sistemojnë makinat e tyre, fushën e tyre të futbollit, këndet e lojërave, hapësirat e gjelbra, ku jo vetëm fëmijët, por edhe të moshuarit dhe e gjithë zona, të ketë cilësinë e investimeve me të cilën Bashkia e Tiranës ka punuar edhe në komunitete të tjera”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj tha se punimet për rehabilitimin e këtij blloku banimi do të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e banorëve gjatë kësaj periudhe. /b.l/noa.al/