Transmetuar më 27-04-2017, 12:17

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha zhvilloi sot një mbledhje me krerët e PD-së në rrethe dhe kryebashkiakët demokratë.

Mbledhja e cila përfundoi pak minuta më parë kishte në qendër të saj përshkallëzimin e protestës së opozitës, e vendosur për qeveri teknike si e vetmja garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.

Mësohet se në mbledhje Basha ka diskutuar me të pranishmit për organizimin e protestës së 6-7 majit dhe për përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës së opozitës.

Protesta e opozitës do të zhvillohet ditën kur në Kavajë do të zhvillohen zgjedhjet lokale për kreun e ri të bashkisë, që do të zërë vendin e Elvis Rroshit, të cilit iu hoq mandati prej ligjit të dekriminalizimit.

Pas kësaj mbledhje mësohet se Basha i është drejtuar zxyrës së Presidentit Nishani me të cilin ka nisur një takim.

Takimi Nishani-Basha mësohet se ka në qendër të bisedimeve krizën politike ku është përfshirë vendi dhe gjetjen e rrugëve për të dalë.

Mbrëmjen e djeshme një takim me Presidentin Nishani e zhvilloi edhe kreu i Kuvendit dhe LSI-së Ilir Meta. Edhe ky ka diskutuar me Nishanin gjetjen e rrugëve për daljen e vendit nga kriza politike. /b.l/noa.al/