Transmetuar më 27-04-2017, 11:34

Persona të armatosur qëllojnë me breshëri automatiku në drejtim të një banese në Manëz të Durrësit, duke terrorizuar familjarët të cilët ishin në gjumë.

Pak pas mesnatës së lënë pas, rreth orës 00:35, në fshatin Shkallë, Manëz, të Durrësit, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së 39- vjeçarit E.T.

Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, pa të lënduar në njerëz. Të njoftuar për ç’ka ndodhi nga i zoti i shtëpisë, i cili telefonoi policinë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 18 gëzhoja.

Burime nga policia i thanë Noa.al, se 39- vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë dhe as natyrë problematike, duke e bërë të vështirë vijimin e hetimeve.

Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje, ndërkohë që po punohet për identifikimin e autorëve si dhe për zbulimin e konflikteve të mundshme që 39- vjeçari mund të ketë patur. /a.y/noa.al