Transmetuar më 27-04-2017, 08:23

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet për të zhvilluar raundin e tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ndërsa dy raundet e para u dogjën, pa u paraqitur asnjë kandidat, në orën orën 15:00, pas seancës së përjavshme parlamentare të së enjtes, do të mbahet raundi i tretë.

Mazhoranca nuk ka prezantuar asnjë kandidat për President, duke deklaruar se pritet pjesëmarrja e opozitës e cila ndodhet në protestë, por kreu i saj Lulzim Basha ka dalë me një propozim të ri, duke kërkuar që kreu i Shtetit të zgjidhet nga populli.

Zgjedhja e kreut të shtetit sipas Kushtetutës mund të bëhet me pesë raunde, ku në tre raundet e para duhet një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla, ndërsa dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Në rast se Presidenti nuk zgjidhet në asnjërën nga raundet, bëhet shpërndarja e Parlamentit dhe shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Presidentit aktual Bujar Nishani i mbaron mandati më 24 korrik. /a.y/noa.al