Transmetuar më 26-04-2017, 14:29

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Duke e lidhur me mesazhet e zyrtarëve të BE-së, të cilët e qortuan në mënyrë indirekte Thaçin për deklaratat e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet nëse Brukseli nuk ofron perspektivën integruese evropiane për Kosovën, Thaçi tha se zyrtarët e BE-së po bëjnë deklarata të neveritshme.

“Kërcënim për Bashkimin Evropian është nacionalizmi serb, është Beogradi i cili është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm të Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake deri në MIG-at rus dhe kjo përkëdhelje dhe deklarime nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për Beogradin janë shumë bajate, shumë neveritëse”, ka thënë Thaçi.

“Njëherësh, këto deklarata janë të papranueshme për Kosovën, në veçanti në këtë vonesë të pajustifikueshme në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka nënvizuar presidenti i Thaçi, raporton rel.

Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ai i cili kishte deklaruar se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE, venitet. Më pas, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar se mbyllja e dyerve për Kosovën në Bashkimin Evropian, do t’i detyronte ata që të jetonin në një hapësirë të vetme në rajon.

Por, komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i ka cilësuar ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që implikojnë ndryshimet e kufijve. /b.l/noa.al/.