Transmetuar më 25-04-2017, 21:54

Negociatorët europianë dështuan në një përpjekje për të mbledhur bashkë të gjitha palët politike dhe kryen negociata disa orëshe me to, duke mos arritur një rezultat të pranuar nga të gjitha partitë politike.

Megjithatë duket se skema e përdorur nga misioni i huaj i kënaq të dyja palët, edhe Ramën edhe Bashën.

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister (PPE) dhe Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein (S&D) u takuan me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës ku patën një bisedë mjaft të frytshme.

Dy deputetët evropianë paraqitën propozimet e tyre mbi ecurinë e mëtejshme, që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër drogës, masa teknike për përmirësimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe masat për të rritur besimin ndaj situatës politike.

Ata po ashtu bënë propozime mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të rritur besimin afatgjatë në sistem”, – thuhet në njoftimin zyrtar që paralajmëron shtyrjen e zgjedhjeve ndoshta për në shtator.

Në një skenar të tillë, mund të kënaqen të dyja palët, si Rama edhe Basha.

Për të parin, qeveria nuk bie, pasi kryen mandatin e saj të plotë dhe mposhtet kërkesa që të ndërpritet mandati i Ramës dhe të krijohet qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet.

Njëkohësisht ekziston mundësia që të kënaqet edhe Basha, sepse me shtyrjen e zgjedhjeve, ndoshta për në vjeshtë, mandati i qeverisë Rama mbaron dhe mund t’i lërë vendin një qeverie të përkohshme që të çojë në vendin në zgjedhjet e shtyra parlamentare.

Në njoftimin zyrtar që u lëshua mbrëmjen e sotme, jepen dhe qëndrimet që parashtruan dy palët.

“Nga ana mazhorancës pati dakordësi në lidhje me pikat e ofruara për sa kohë që në parlament votohet vetingu. Ndërkohë Partia Demokratike ishte e qëndrimit se duhej të emërohej një Kryeministër teknik dhe se duhet të zbatohet një sistem elektronik për numërimin e votave me qëllim që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”. /noa.al/