Transmetuar më 25-04-2017, 21:47

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka patur sot një takim me qytetarë të Fierit, në vendin e quajtur sipas tij “Sheshi i Lirisë”.

Basha shkruan se ata folën për vështirësitë, varfërinë dhe padrejtësitë me të cilat, sipas tij, ata ndeshen.

“Me zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do t’i hapim rrugën Republikës së Re dhe një qeverie të njerëzve”, shkruan Basha në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Bashës:

Qindra qytetarë të Fierit mbushën sot Sheshin e Lirisë dhe folën për vështirësitë, varfërinë dhe padrejtësitë me të cilat ata ndeshen. Qarku i Fierit ka pasuri të jashtëzakonshme natyrore, nga nafta tek siëprfaqja më e madhe e tokës bujqësore që ka vendi. Por fierakët jetojnë në varfëri, e cila i ka çuar drejt emigrimit masiv, sidomos të rinjtë. Taksat e larta, kushtet e vështira për sipërmarrjen dhe korrupsioni qeveritar po e dënojnë Fierin dhe gjithë Shqipërinë. Të vetmit përfitues të republikës së vjetër janë klientët që rrëmbejnë koncesione dhe kontrata publike, siç është projekti incineratorit të planifikuar në Fier, i cili do të dëmtojë mjedisin dhe shëndetin e fierakëve.

Me zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do t’i hapim rrugën Republikës së Re dhe një qeverie të njerëzve. Ne do të ulim taksat e do të lehtësojmë kushtet për biznesin dhe do t’i japim fund arbitraritetit të shtetit e dhunës së taksidarëve dhe inspektorëve. Ne do të investojmë 150 milionë euro në bujqësi, nga të cilat 100 milionë euro do të jenë subvencionim i fermerëve. Ne do të investojmë në arsim dhe shëndetësi për të përmirësuar mirëqenin e njerëzve./a.k/noa.al/