Përfundon takimi i eurodeputetëve David McCallister dhe Knut Fleckenstein me aktorët kryesorë të politikës shqiptare. I pari që la ambientet e Pallatit të Kongreseve, ishte kryedemokrati Lulzim Basha, i cili në një koment të shkurtër për mediat deklaroi:
“Nuk kanë nisur ende negociatat. Nuk ka teknicienë. Erdha këtu për të vazhduar procesin e bisedimeve. U largova se mbarova punë”, tha Basha.
Ndërkohë, Kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta nuk dhanë asnjë koment për mediat, duke lënë të kuptohet se edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, palët politike nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’u ulur në tryezën e dialogut, dhe për t’i dhënë kështu fund krizës politike.
Të fundit që dolën nga takimi, ishin dy negociatorët, McCallister dhe Fleckenstein, të cilët nuk preferuan të ndajnë detaje me median.
Mësohet se, në takim, opozitës i janë ofruar ndryshime në KQZ, institucioni i Avokatit të Popullit, emërime të drejtorëve të policive në qarqe në bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe kriminalizimi i shit-blerjes së votës, por PD ka insistuar në krijimin e qeverisë teknike.
Pasditja e sotme ka qenë e ngjeshur për të dërguarit e Brukselit, të cilët takuan veçmas aktorët politikë. Më pas, në orët e para të mbrëmjes, ata u takuan me Ramën, Bashën dhe Metën për të gjetur dakordësi mes tyre, dhe të diskutonin propozimet në tryezën e përbashkët. /k.k/noa.al/