Transmetuar më 25-04-2017, 15:50

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Gramoz Ruçi, kryetari i Grupit parlamentar të PS dhe Taulant Balla, nënkryetar i Grupit, ka shkuar në Kryesinë e Kuvendit, tek kryeparlamentari Ilir Meta dhe së bashku, kanë nisur takimin me dy negociatorët europianë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein.

Takimi ishte përcaktuar në orën 15:00 dhe të gjitha palët kanë mbërritur në kohë. Para këtij takimi Rama u takua me Metën në Kryesinë e Kuvendit. Ai shkoi në zyrën e kryeparlamentarit, ku qëndroi për afro gjysmë ore, ndërsa mendohet se është biseduar për situatën politike, pasi opozita vijon bojkotin.

Takimi i tij erdhi pasi më herët, paraditen e sotme Meta ishte vizituar edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu dhe ajo e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin dhe ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt. /b.l/noa.al/