Transmetuar më 25-04-2017, 12:20
Publicitet

Kryeministri Edi Rama thotë se turizmi është një potencial i madh punësimi. Duke folur nga Gjiri i Lalzit në Durrës, ku sot nisën punimet për një resort turistik, kreu i qeverisë tha se, Shqipëria është aq e pasur në bukuri saqë duket e pabesueshme saqë ju deshën 25 vjet për tu shndërruar në një destinacion turistik.

Sipas tij, e vetmja strategji që shteti pati për turizmin ishte ç’organizimi i organizuar, lejimi i ndërtimeve pa leje buzë detit, madje edhe brenda detit.

Më tej tha se ngritja e strukturave që nuk përmbushnin asnjë kriter minimal, e jo më pastaj ndonjë strukturë hoteliere që të mund të shërbente si kartolinë e Shqipërisë turistike.

“Nuk do ta harroj kurrë se çfarë më ka thënë Kryeministri i Malit të Zi dhe kur e kam pyetur për strategjinë e ndjekur për strukturat e turizmit me 5 yje. Më tha, mos harro që unë jam Kryeministër prej 20 e kusur vitesh dhe më janë dashur 10 vjet që të thyej akullin për të sjellë strukturën e parë. Mbasi ka ardhur struktura e parë me 5 yje, është krijuar besim dhe bindje se edhe Mali i Zi mund të jetë një vend ku të ndërtohen struktura të tilla. Sepse është çështje besimi dhe për një investitor ku të jetë i pari, e në një vend ku ka njëmijë e një arsye për të guxuar, duhen guxim më vete”, u shpreh Rama.

Më tej tha se duke llogaritur paketën e investimeve të mundshme, ambicia jonë është që të kalojmë 1 miliard dollarë.

Ajo që duhet thënë është se sipas statistikave edhe të agjencive dhe të infrastrukturës sonë hoteliere, deri në 2015, u arrit që të gjenerohen 15 mijë vende pune, tha ai, por nënvizoi se projekti i diskutuar dhe vlerësuar edhe nga Banka Botërore e nga FMN, flet për mundësin e krijimit të 250 mijë vendeve të punës në turizëm, vetëm në një periudhë prej 7-8 vitesh.

Po ashtu shtoi se në këtë resort turistik punësohen 600 persona ndërsa me mbarimin e tij dhe fillimin e punës, do të nisin punë 1600 persona.

Rama deklaroi se mund të përfitohet nga gabimet e të tjerëve, ku janë 100 milionë turistë që shfrytëzonin vendet e Afrikës së Veriut kërkojnë destinacione të tjera për shkak të konflikteve atje. /a.y/noa.al