Transmetuar më 25-04-2017, 11:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një takim me qytetarë nga Fieri, akuzoi kryeministrin Edi Rama duke i kujtuar shprehjen "malok" që sipas tij përçan shqiptarët. Me ironi Basha theksoi se pavarësisht kësaj, Rama ka qenë dorë rëndë si për xhepat e malokëve të veriut dhe atyre të jugut.

"Numri i bizneseve që janë mbyllur në qarkun e Fierit është i dyti më i larti në Sqipëri. Numri i të rinjve të larguar, është i dyti në Shqipëri, pas qarkut të Kukësit. Fieri ka përjetuar deri në kockë Rilindjen dhe nuk ka parë akoma asnjë premtim elektoral. Rama këto 4 vite ka bërë një apartei të vërtetë dhe një klikë, një grusht pushtetarësh që janë në fund të këtij grupi të madh shqiptarësh që grupi i Ramës e ka ndarë në dysh. Në vend që të bëjnë punë, shajnë kundërshtarët e Ramës. Janë sharës me pagesë. Rama ka qenë njësoj dorë rëndë për xhepat e malokëve të veriut dhe atyre të jugut. Njësoj hajdut karshi socialistëve dhe demokratëve”, u shpreh Basha.

më tej në fjalën e tij Basha, ka denoncuar “një tjetër skemë të pastër vjedhjeje” siç e ka quajtur ai nga Kryeministri Edi Rama në prag të zgjedhjeve, koncesionin 100 milionë euro për laboratorët e mjekësisi.

“Populli thotë nuk ka lekë. Por sot e kemi fare të qartë se ku shkojnë këto lekë. Dje është firmosur një koncesion i ri plot 100 milionë euro për laboratorët e mjekësisë, një skemë e pastër vjedhjeje dhe korrupsioni, që firmoset në prag të zgjedhjeve si pjesë e pazareve të peshkut të qelbur nga koka dhe është pjesë e komplotit ekonomik ndaj shqiptarëve. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës: fasadë kryeministri, fasadë parlament, fasadë investime, fasadë pushteti vendos: prapa fasadës, hajdut, krim. Shikoni sesa e urren kjo çetë e korruptuar kriminale popullin e vet!", tha Basha.

Basha po ashtu theksoi se skemë vjedhjeje është dhe impianti i përpunimit të plehrave në Elbasan: "Që ta mbushin Shqipërinë me helme, që të helmojnë fëmijet tanë, vetëm që të përfitojnë paratë e mafies ndërkombëtare. Ky është komploti kundër shqiptarë." /b.l/noa.al/

Kryetari opozitës ka sulmuar edhe  ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj duke i kërkuar atij që të publikojë të gjithë procesverbalet e shkatërrimit të drogës.

Fasada vazhdon punën, Xhafa një njeri i stërvitur mirë me taktikat e sigurimit të shtetit, njësoj sikur torturonte  të rinjtë dhe të rejat e Krujës, me të njëjtin zell, pacipësi, pafytyrësi i shkruan prokurorit dhe i thotë më thuaj se cilat janë rastet kur ju nuk jeni thirrur për asgjësimin e drogës. Lëre prokurorinë, leri mediat, opozitën dhe na trego procesverbalet e shkatërrimit të 2.5 mln rrënjëve të kanabisit, të 10 mijë ton drogë. Tregoja shqiptarëve dhe të huajve, por nuk i tregon dot se droga nuk u shkatërruar por u magazinua nga kupola në magazinat e shtetit. Nuk ka si ta dorëzojë drogën Rama sepse ka dalë garant me kokën e vet, sepse është pjesë e drogës dhe e parave të drogës”, tha Basha. /b.l/noa.al/