Transmetuar më 25-04-2017, 09:47

Policia e Korçës jep detaje lidhur me 121 pakot me kanabis sativa të bllokuara pranë pikës kufitare të Kapshticës gjatë ditës së djeshme, të cilat po tentoheshin të trafikoheshin nga kufiri i gjelbër në Vidohovë.

Nga peshimi i saj rezultoi se bëhej fjalë për 48 kilogramë kanabis sativa, ndërkohë që si të dyshuar si trafikantë u arrestuan dy persona, si dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Të arrestuarit janë Spartak Koçileri, 37 vjeç dhe Marsel (Melsi) Shaholli, 36 vjeç, të dy banues në fshatin Hoçisht- Devoll, ndërsa të shpallurit në kërkim janë A.H., 45 vjeç, banues në fshtatin Miras-Devoll dhe R.K., 27 vjeç, banues në Hoçisht.

Katër të rinjtë akuzohen se gjatë ditës së djeshme në bashkëpunim midis tyre, në afërsi të piramidës 54, në fshatin Vidohovë të Devollit, kishin si synim të transportonin nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek me qëllim trafikimi dy çanta sportive dhe një thes, brenda të cilave kishte 121 pako me lëndë narkotike kanabis sative.

Por të dyshuarit sapo kanë parë policinë kufitare duke patrulluar në vijën e gjelbër, kanë fshehur lëndën narkotike.

Më tej, duke përfituar nga dendësia e pyllit, janë larguar me shpejtësi në një distancë të largët. Ndërkohë policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy çantat dhe thesin me kanabis.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë për veprën penale “Trafikim i narkotikëve kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. /a.y/noa.al

Korçë, gjenden dy çanta me drogë në kufirin shqiptaro-grek