Transmetuar më 25-04-2017, 09:25

Nëse Emmanuel Macron do të arrijë të bëhet President i Francës, pasi kryeson në balotazhin me Marine Le Pen, i detyrohet shumë bashkëshortes Brigitte Trogneux. I martuar në vitin 2007 me ish mësuesen e letërsisë, e cila është 24 vjeçe më e madhe në moshë, është pikërisht këmbëngulja e saj ajo që bëri që Macron të kandidonte për President.

Trogneux është 64 vjeçe, ndërsa Macron 40. Ishte pikërisht ajo që krijoi një imazh politik dhe personal të një njeriu modern por të ndershëm në politikën franceze.

Është vetë Macron ai i cili ja njeh meritat të shoqes dhe i ka deklaruar publikisht gjatë fushatës elektorale. Ish- ministri francez deklaroi se në rast fitoreje, “Brigitte nuk do të jetë pas meje, ajo do jetë në krahun tim”.

Brigitte Trogneux siç shkruan noa.al, ishte mësuese letërsie në shkollën e jezuitëve La Providence në Amiens, ku Macron mësonte.

Ishte 38 vjeçe dhe ishte e martuar me financierin André-Louis Auzière, me të cilin kishte tre fëmijë. Emmanuel Macron ishte nxënësi i saj dhe u dashurua pas Brigitte, pasi mësuesja lexonte gjithë ndjenjë poezitë në klasë.

“Shkrimi i poezive bëri që të takoheshim të premteve në klubin e letërsisë dhe nga aty lindi një sintoni dhe ndjenjë e fortë mes nesh”, tha ish- mësuesja në një dokumentar për Macron.

Ajo tregoi se disa vite më vonë u divorcua me të shoqin, ndonëse familja nuk e mbështeste për shkak të diferencës së moshës.

“Gjëja më e rëndësishme ishte gjykimi i fëmijëve të mi, ata e pranuan, për të tjerët nuk ka rëndësi”, tha Trogneux. /a.y/noa.al