Transmetuar më 25-04-2017, 08:45

Frikë për këngëtarin Elton John, i cili rrezikoi jetën për shkak të një infeksioni të rëndë që mori gjatë një turneu në Amerikën e Jugut, prej të cilit qëndroi disa ditë në spital, deri të shtunën e lënë pas.

Ky fakt u bë me dije me anë të një komunikate të shpërndarë për media në Londër, ku deklarohej edhe anulimi i disa koncerteve të këngëtarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këngëtari anglez 70 vjeç, u prek nga një infeksion prej të cilit rrezikonte të vdiste, në kthimin e tij nga Kili, thuhet në komunikatë.

Ai u shtrua në terapi intensive në Londër, ndërsa tashmë rreziku ka kaluar dhe ndodhet në shtëpi, shkruan noa.al.

“Na vjen keq t’iu lajmërojmë se për arsye shëndetësore, Elton John është i detyruar të anulojë koncertet e planifikuara për në prill dhe maj në Las Vegas dhe California. I jemi mirënjohës stafit mjekësor që u kujdes për të në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet më tej.

Lidhur me infeksionin nga i cili u prek këngëtari, nënvizohet se infeksione të kësaj natyre janë shumë të rralla dhe me rrezikshmëri të lartë vdekje. /a.y/noa.al