Transmetuar më 25-04-2017, 08:18

Dy persona të shpallur në kërkim për drogë dhe një bashkëpunëtori i tyre janë kapur nga policia e Tiranës.

Pasditen e djeshme, e hënë, janë vënë në pranga Kaman Lumani, 28 vjeç, banues në Përmet, Anastazios Extadakstilios, 29 vjeç, shtetas grek, banues në Sarandë dhe Mariglen Coha, 26 vjeç, banues në Elbasan.

Arrestimi i tyre u bë pas një operacioni në zonën e Yzberishtit, për kapjen e tyre bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative nga specialistët e narkotikëv.

Lumani dhe Extadakstilios ishin shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve të kryer në bashkëpunim”, dhe strehoheshin në banesën e marrë me qira nga Mariglen Coha i dyshuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve të kryer në bashkëpunim” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë ku ishin strehuar këta dy të rinjtë, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Në pamjet që gjeni më poshtë, shihet ndërhyrja e policisë teksa njëri nga të rinjtë ishte duke ngrënë, ndërsa një tjetër në dhomën e gjumit.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim” dhe “Përkrahje autorit të krimit”. /a.y/noa.al