Transmetuar më 24-04-2017, 19:47

Fermerët e dëmtuar nga ngricat e muajit prill do të dëmshpërblehen. Premtimi ka ardhur sot nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili ka deklaruar se fermerëve do t’u mbulohen kostot e prodhimit, dhe çësthja do të diskutohet se si mund të marrë një zgjidhje në të ardhmen.

“Për t’u dhënë një sinjal për të gjithë ata fermerë që u prekën nga fatkeqësitë natyrore, nga ngricat, unë do të bëj ç’është e mundur për të lehtësuar sado pak dëmet nga këto fatkeqësi natyrore duke u ardhur atyre në ndihmë, duke u mbuluar të paktën koston e prodhimit, dhe njëkohësisht për ta vendosur këtë çështje në një zgjidhje të qëndrueshme që janë sigurimet në bujqësi”, tha ministri, gjatë një vizite në Durrës.

Për t’i paraprirë situatave të ngjashme, Panariti tha se po negociohet me dy kompani për sigurimin e sipërmarrjeve.

"Unë kam filluar të negocioj me dy kompani të mëdha sigurimi të cilat do të marrin përsipër sigurimin e sipërmarrjeve, veçanërisht pemishteve që janë të ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë, në mënyrë që ne të përballojmë fatkeqësitë natyrore që për fat të keq bujqësia i përjeton në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha ministri Panariti. /k.k/noa.al/