Transmetuar më 24-04-2017, 19:38

Në kuadër të takimeve me votues për herë të parë, Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Vlorë në një bashkëbisedim me të rinjtë në qytetin ku u zgjodh deputet.

Kreu i qeverisë premtoi përpara tyre se së shpejti Vlora do të ketë një aeroport, dhe kjo nuk është përrallë.

“Unë ëndërroj dhe jam i bindur që do të ndërtoj një aeroport për Vlorën, jo një pistë turistike, por një aeroport rajonal për njerëzit dhe për mallrat, që do ta bëjë Vlorën një nga qytetet më të vizituara të Mesdheut. Dhe kjo nuk është një përrallë, është po aq realitet”, deklaroi Rama.

Kreu i ekzekutivit kërkoi votat e të rinjve për të vijuar, siç tha ai, vijimin e reformave shtetformuese.

 “Ka ende shumë papunësi. Ka ende shumë njerëz të varfër që na kanë dhënë votën. Por ama në 3 vjet e gjysëm ne kemi dhënë provën se ajo që thuhej për çerek shekulli se ky vend nuk bëhet, nuk është e vërtetë. Ne e kemi provuar se Shqipëria mund të bëhet. Në 3 vjet e gjysëm kemi provuar se Shqipëria mund të bëhet vendi ku secili mund të marrë atë që i takon sipas meritës”, – tha Rama.

Pjesë e fjalës së tij, ishte edhe Partia Demokratike, për të cilën tha se është futur në çadër për të penguar vettingun, teksa nënvizoi se me apo pa opozitë, në 18 qershor do të ketë zgjedhje. k.k/noa.al/