Transmetuar më 24-04-2017, 18:52

Një prej ikonave të muzikës së lehtë shqiptare, Liljana Kondakçi, ka qenë e ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, për të ndarë me publikun projektet e ardhshme muzikore, planet për dy albume të reja, por edhe për të zbuluar më shumë për familjen e saj dhe jetën si gjyshe.

Nostalgjike për jetën e festivaleve, me mall për turet muzikore nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë, Liljana ka kujtuar shumë prej kolegëve dhe mikeshave me të cilat vazhdon të ruajë shumë kujtime.

E pyetur si e kujton kohën e festivaleve, ajo tregon me shumë nostalgji: “Kemi pasur shumë artistë të talentuar, por kemi qenë edhe shokë e shoqe të dashur me njëri-tjetrin, pa xhelozi. Si në një familje. Gjëja më e bukur në ato vite ishte koha kur shkonim në turne. Bënim një program, organizonim ditën, kohën e lirë në çdo koncert dhe në çdo qytet ku shkonim. Kishe mundësi për të pasur variante të ndryshme e për të shijuar çdo gjë në vendet ku shkonim. Ishte një jetë shumë e pasur…” – tregon Liljana.

Ndërsa për bukurinë e pakohë dhe formën fizike, Liljana rrëfen me modesti se i është mirënjohëse natyrës. Grimi në atë kohë nuk ishte si në ditët tona, por edhe atëherë kishte grimierë të zotë, kryesisht në festivale apo evente.

Sot, shumë vite pas atyre turneve dhe festivaleve, edhe muzika ka ndryshuar, por Liljana është gjithmonë në formë, madje “në formë më të mirë se atëherë” thotë ajo. Prej kohësh, këngëtarja po përgatitet për dy albume: njërin me këngët e saj më të bukura në vite dhe një tjetër me këngë të reja.

Gjatë viteve, suksesin në muzikë ua dedikon edhe familjarëve të saj; bashkëshortit, i cili 4 vjet më parë është ndarë nga jeta, dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, dhe 3 nipërve. Sot, ata janë lumturia më e madhe e Liljanës. Statusi si gjyshe ia ka bërë jetën më të lumtur.