Transmetuar më 24-04-2017, 18:34

Më tepër kontrolle në rrugë, ulje e mëtejshme e limitit të lejuar të alkoolit dhe përdorimin e frymë– testuesve, aparate që nuk lejojnë ndezjen e makinës nëse shoferi është nën efektin e alkoolit.

Janë këto disa prej masave që do të ndërmerren për parandalimin dhe minimizimin e aksidenteve të shkaktuara nga drejtimi në gjendje të dehur i automjeteve, shkruan “Panorama”.

Strategjia për zvogëlimin e dëmeve të lidhura me alkoolin në 4 vitet e ardhshme parashikon ashpërsim të masave me qëllimin për minimizimin me gati 15 për qind të numrit të aksidenteve, duke vënë në dukje se një pjesë e ndjeshme e tyre janë të lidhura me konsumin e alkoolit nga shoferët, duke përfshirë edhe këmbësorët e dehur.

Aktualisht përqindja e lejuar e alkoolit në gjak është 0.02 për qind. Ajo që parashikohet është ulje e mëtejshme e këtij limiti, kryesisht për shoferët e automjeteve të rënda të transportit të pasagjerëve dhe të mallrave, si dhe për shoferët e rinj në moshë ose rishtarë.

Një tjetër risi është fakti që për të rinjtë nën 21 vjeç është menduar që toleranca të jetë zero, çka do të thotë se konsumimi i alkoolit në këto grupmosha do të jetë rreptësisht i ndaluar.

Një ndër praktikat që po shqyrtohet për t’u aplikuar edhe në vendin tonë është ajo për instalimin e frymë-testuesve. Këto të fundit janë aparate që nuk lejojnë ndezjen e makinës nëse shoferi është nën efektin e alkoolit.

Megjithatë, kjo është një masë që është menduar për ata të cilët në mënyrë të përsëritur janë shkelës të ligjit. “Instalimi obligues i këtyre aparateve në makinat e ish-të dënuarve që kanë drejtuar automjet në gjendje të dehur po rezulton i efektshëm në uljen e incidencave të përsëritura”, nënvizohet në strategji.