Transmetuar më 24-04-2017, 16:08

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, inspektoi investimin e kryer në një pulari në Kullë të Sukthit.

Meta dhe Panariti vlerësuan cilësinë e prodhimit, si edhe  numrin e lartë të të punësuarve, kryesisht banorë të zonës. Kryeparlamentari theksoi se subjekte të tilla që garantojnë punësim të sigurt do të kenë mbështetjen e qeverisë për zhvillim të mëtejshëm të biznesit.

Krahas furnizimit të tregut të brendshëm, fabrika eksporton vezë edhe në vende të rajonit si Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë më të madhe për këtë impiant kaq modern për prodhimin industrial të vezëve. Është një impiant mjaft cilësor, i standardeve më të larta evropiane, si përsa i takon teknologjisë, ashtu edhe gjithë menaxhimit të këtij biznesi, që tashmë me shumë sukses ka arritur edhe të hyjë në tregjet evropiane.

Mendoj se ky sukses në këtë drejtim, pra në prodhimin industrial të vezëve në vendin tonë, duhet të vijoi në të gjithë drejtimet e tjera të sektorit të bujqësisë edhe të ushqimit, pasi kjo është rruga më e mirë, jo vetëm për të rritur ekonominë tonë kombëtare, jo vetëm për të reduktuar në mënyrë drastike importet bujqësore dhe ushqimore, por përkundrazi edhe për të rritur eksportet dhe për të hapur vende të reja të punës”, tha z. Meta. /b.l/noa.al/.