Transmetuar më 24-04-2017, 14:59

Kur kanë kaluar vetëm disa orë, policia ka identifikuar njërin nga autorët e dyshuar të tentativës së grabitjes, ku i plagosur mbeti dhe i zoti i shtëpisë, ngjarje e cila ndodhi gjatë natës sot në Kamëz.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se në kërkim është shpallur shtetasi me inicialet R.M., 26 vjeç, banues në Tiranë, i cili në bashkëpunim dhe me një person tjetër ende i paidentifikuar kanë tentuar të hynë me dhunë në banesën e shtetasit A.V., 60 vjeç dhe pasi e kanë dhunuar këtë të fundit, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Bazuar në dëshminë e të zotit të shtëpisë, mësohet se të dyshuarit kanë hyrë nga tarraca e pallatit të katit të tetë, brenda në banesë. Por ata janë diktuar nga i zoti i shtëpisë i cili është zgjuar nga gjumi nga zhurma që ka dëgjuar dhe për pasojë janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin.

Nga konfrontimi fizik, ka mbetur i plagosur me mjete prerëse në këmbë i zoti i banesës, i cili ndodhet në spital. Për shkak të rezistencës së bërë nga 60-vjeçari, grabitësit nuk kanë mundur të marrin asgjë.

Lidhur me këtë ngjarje po punohet për kapjen e 26 vjeçarit dhe identifikimin e autorit tjetër. Materialet i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën  penale të   “Vjedhjes me dhunë e  kryer në bashkëpunim“ dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. /b.l/noa.al/