Transmetuar më 24-04-2017, 10:31

Lëvizja e Gruas për Integrim organizoi një aktivitet festiv me gratë dhe vajzat e Njësisë administrative nr. 11 në Tiranë.

Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha tha se nënat, vajzat dhe gratë ashtu siç kujdesen për familjen, ashtu dinë të kujdesën edhe për komunitetin e njëkohësisht ashtu dinë të kujdesen për Lëvizjen Socialiste për integrim.

“E gjithë LSI jep mesazhin e kujdesit për qytetarët. Kjo është LSI! Nuk është vetëm një parti politike, është një parti që jep frymëzim, dhe që na bashkon të gjithëve. Jam e bindur që me punën tonë ne do të bëjmë shumë dhe do të rritemi akoma dhe më shumë me gjithë këto njerëz që na bashkohen çdo ditë”, u shpreh Gjosha.

Kryetarja e LGI paraqiti edhe disa pika të programit të ri për mbështetjen e gruas. Program ky që synon fuqizimin e rolit të tyre.

“Një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet grave kryefamiljare. Ky propozimi ynë është që ndihma ekonomike të jetë e dyfishuar. Propozimi tjetër është mbështetja për të gjitha ato gra dhe vajza të cilat duan të kenë një biznes të tyrin, pasi sot vetëm 15% e bizneseve drejtohen nga gra. Është problem tejet i madh pronësia apo marrja e kredive nga gratë dhe mundësitë që u jepen atyre. Unë jam e bindur se një grua në biznes do të ishte edhe më e zonja se burrat. Sepse në qoftë se nënat dhe gratë janë të suksesshme në familje, jam e bindur që edhe biznesi do të lulëzonte më shumë”, tha Klajda Gjosha.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit të politikës dhe konsensusit në mënyrë që qytetarët të marrin atë që meritojnë, më shumë mundësi punësimi dhe vende punë të mirëpaguara.

“Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për bashkim, kanë nevojë për konsensus, kanë nevojë për dialog, sepse sa më shumë vonohet dialogu sa më shumë vonohet bashkëpunimi, aq më shumë rëndohet barra mbi qytetarët. Prandaj ne jemi pro dialogut, jemi pro bashkëpunimit, sepse vetëm me dialog vetëm me bashkëpunim, ne mund të arrijmë të bashkojmë shqiptarët”, tha Braimllari.

Në këtë aktivitet të mbajtur gjatë së dielës, u prezantuan gatime tradicionale nga duart e grave dhe vajzave dhe një koncert me të rinj e të reja të talentuar. /a.y/noa.al