Transmetuar më 23-04-2017, 14:10

Partia Demokratike reagon ndaj deklaratës së Policisë së Shtetit, e cila paralajmëroi masa, madje edhe arrestime për këdo që do të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar nga opozita, ku për një orë pritet të bëhet bllokimi i rrugëve kombëtare.

PD thotë se me urdhër të Edi Ramës, krerët e policisë që nuk luftojnë krimin, trafikantët, banditët, por bëhen palë me ta, kërcënuan sot qytetarët e lirë të vendit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur popullin të shprehet.

“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, i bëjnë të qartë sot kupolës së policisë të heqin dorë nga keqpërdorimi politik dhe të mos pranojnë të dalin kundër popullit për interesat e Edi Ramës. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar i bën të ditur publikisht çdo punonjësi dhe funksionari të policisë, se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit, dhe nesër do të përgjigjet deri më një, çdo drejtues, shef apo punonjës policie që do tentojë të cenojë të drejtën sovrane të qytetarëve për të protestuar paqësisht.

Në vijim thuhet se protesta nesër do të jetë paqësore, por e vendosur dhe e pathyeshme.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kanë 65 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria, thuhet ndër të tjera.

Po ashtu nënvizohet se të gjitha veprimet kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë europiane që ka dëshmuar shoqëria shqiptare.

Në këtë qëndrim shtohet se nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike.

Protesta e Opozitës së Bashkuar dhe qytetarëve do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama, deklarohet ndër të tjera, me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojë qëndresën qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen masivisht nesër mes orës 11 dhe 12 paradite në këtë protestë kundër krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare, për të ndalur krimin, për të ndalur pushtetin e lidhur me krimin dhe për të siguruar të drejtën themelore të qytetarëve në demokraci, të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thuhet në mbyllje të deklaratës.

Policia e Shtetit: Mos merrni pjesë në protestën e opozitës, do përballeni me ligjin

Thirrja e kreut të opozitës Lulzim Basha që gjithë qytetarët ditën e nesërme të protestojnë duke filluar nga ora 11.00-12.00, duke bllokuar gjithë akset rrugore kombëtare, merr përgjigjen e Policisë së Shtetit.

Drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike në polici, Altin Qato në një dalje të sotme për mediat tha se Partia Demokratike e Shqipërisë ka lajmëruar se në datën 24 prill, ditën e hënë, do të zhvillojë një protestë publike, e cila do të shoqërohet me bllokimin e disa rrugëve kryesore kombëtare.

Ai paralajmëroi arrestime, për qytetarët që do të marrin pjesë, duke thënë se protesta është e paligjshme.

Qato bëri me dije se Policia e Shtetit njofton se nuk ka dhënë lejen për zhvillimin e kësaj proteste dhe sqaroi se ky vendim i Policisë së Shtetit është në përputhje të plotë me nenin 8 të Ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”.

Ai citoi përmbajtjen e tij duke thënë se, “Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit”.

Në këtë drejtim shtoi se zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cenim të rëndë të rendit publik.

Po ashtu shtoi se asnjë shkak ligjor dhe asnjë motiv tjetër me interes publik nuk e justifikon zhvillimin e kësaj proteste në këtë mënyrë dhe se zhvillimi i kësaj proteste cenon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë.

Qato tha se Policia e Shtetit është plotësisht e ndërgjegjshme për detyrimin që ka për të siguruar mbarëvajtjen e çdo proteste paqësore, e cila nuk cenon interesat publike, por ajo nuk do të tolerojë aspak, këdo që me veprimet e tij shkel ligjin në lidhje me tubimet dhe manifestimet.

“Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cenojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm. Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cenuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve, do të përballen me ligjin”, u shpreh Qato.

Ai sqaroi se në përputhje me parashikimet e nenit 21 të ligjit “Për tubimet” Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe çdo automjet që i vihet në dispozicion një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’i paraqesë organit të Prokurorisë kallzimin penal përkatës.

Qato kujtoi, se Kodi Penal, përkatësisht neni 262 dhe 274 të tij sanksionojnë dënime të rënda deri me burgim për ata shtetas që marrin pjesë në manifestime të paligjshme dhe/ose prishin rendin dhe qetësinë publike.

Më tej tha se organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre manifestimeve të paligjshme duhet të kuptojnë dhe të kenë përgjegjshmëri politike dhe qytetare për pasojat që mundet të vijnë dhe se do të jenë ata përgjegjësit ligjorë për çdo pasojë të ardhur si rrjedhojë e prishjes së rendit publik dhe/ose destabilizimit të tij.

Policia e Shtetit sjell gjithashtu në vëmendje që zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mundet të shfrytëzohet edhe nga elementë kriminal me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet.

“Ndaj ju bën thirrje qytetarëve që të shmangin pjesëmarrjen në aktivitete të tilla të paligjshme, të jenë vigjilentë dhe të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre, si dhe të tregojnë kujdes të madh, nëse gjenden pranë këtyre tubimeve të paligjshme”, deklaroi Qato.

Ai tha, se Policia e Shtetit ka gjithë të drejtën ligjore, si dhe zotëron të gjithë kapacitetet për të mos lejuar cenimin e interesit të qytetarëve dhe për të vënë përpara përgjegjësisë këdo shkelës të ligjit në këtë rast.

“Policia e Shtetit gjithashtu, siç ka dëshmuar në gjithë këto vite, është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zhvillimit të çdo tubimi paqësor kudo dhe nga kushdo”, tha në mbyllje Drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike. /a.y/noa.al