Transmetuar më 23-04-2017, 12:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen ditën e nesërme, e hënë, për të protestuar duke bllokuar rrugët në të gjithë vendin.

Ai tha se ditën e nesërme çdo shqiptar është i thirrur t’i bashkohet një orë bllokimit të trafikut kombëtar, duke e cilësuar si një sakrificë të vogël por dhuratë të madhe për Shqipërinë, për të bllokuar trafikun e drogës, të krimit dhe për të garantuar mirëqenien e qytetarëve.

“Mos harroni, nesër një orë të gjithë bashkë, për t’i hapur rrugë të mirës për çdo shqiptar e shqiptare dhe duke u kthyer shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur me votë të lirë dhe të ndershme. Le të bashkohemi nesër në orën 11.00- 12.00 për t’i thënë ndal krimit, drogës dhe korrupsionit, për ti thënë po zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Lulzim Basha.

Gjithashtu nga çadra e protestës ai kujtoi se Kryeministri Edi Rama ka 48 orë që nuk i përgjigjet propozimit të opozitës për President nga populli.

“Dje nxori të gjorin Gramoz (Ruçi), duke thënë se nuk ka kohë, se duhen ndryshime kushtetuese. Ka kohë për koncesione, afera kriminale, por për ti kthyer pushtetin popullit jo. Refuzon t’i kthejë popullit atë që është e popullit, President nga populli dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, deklaroi Basha.

Në këtë linjë ai tha se votime mund të ketë por zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë as në Kavajë dhe as në Shqipëri. /a.y/noa.al