Transmetuar më 23-04-2017, 12:10

Kryeopozitari Lulzim Basha, akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama si të lidhur me krimin, duke folur nga çadra e protestës e cila ndodhet në ditën e 65 të saj.

Në një takim me sportistë, ai tha se kampionët që kanë ngritur flamurin tonë kombëtar nëpërmjet sakrificës e fitoreje që kanë korrur, nuk marrin asnjë mbështetje.

“E mbani mend Ramën si e keqpërdori kombëtaren e futbollit a thua se ishte ky trajneri, dhe menjëherë zero investime për kampionët”, u shpreh Basha.

Më tej shtoi se mbështetja jepet për kriminelët, mashtruesit dhe gënjeshtarët, duke thënë me ata ndihen mirë.

Ndër të tjera tha se sundimi i të këqijve e ka tmerr konkurrencën, se konkurrenca shporr mashtruesit dhe nxjerr lart ëmë të mirët.

“Për 30 vite me radhë, 30% e buxhetit të shtetit, shkonte për ndërtim bunkerësh, ndërkohë populli vuante për bukë. Pse e kujtoj historinë, se ka gjasa që historia të ripërsëritet. Asnjë shoqëri nuk ka ecur me shtet të fortë e individ të përulur. Rama po na kthen kohën e komunizmit. E kemi harruar historinë përmes tij. Pa liri nuk ka ekonomi të fortë, pa një shtet që garanton të drejtat e qytetarëve”, deklaroi Basha.

Sipas tij, pa liri nuk ka mundësi, nuk ka siguri, prandaj shumë shqiptarë janë larguar në këto tre vite e gjysëm të Rilindjes së krimit.

Në vijim kryetari i PD, deklaroi se ka tre ditë në grykëderdhjen e Ishmit “motoskafi i Habilajve me 3 motorë që ka ngelur në llucë. Të gjithë e dinë, policia, ministri, Kryeministri, por asnjë nuk guxon të shkojë aty sepse Habilajt janë pronarët e kësaj qeverie”. /a.y/noa.al