Transmetuar më 23-04-2017, 11:23

Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Befasia” ka zbuluar 102 kilogramë kanabis sativa, duke vënë në pranga katër persona.

Pasditen e djeshme, e shtunë, u arrestuan Arjan Mustafaj, 43 vjeç, banues në Mallakastër, Shpëtim Sinaj, 40 vjeç, banues në Mallakastër, Erjon Zenelaj, 33 vjeç, banues në Mallakastër dhe Niko Dula, 41 vjeç, banues në Tepelenë.

Katër të dyshuarit në bashkëpunim me njeri tjetrin, kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike kanabis sativa, kryesisht në periferi të Tiranës.

Në bazë të informacioneve është bërë e mundur goditja e këtij grupi dhe më saktësisht në aksin rrugorë Pezë – Ndroq.

Nga kontrolli në automjetet e tyre, në bagazhin e automjetit tip ‘Mitsubish’i, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shtatë thasë të zinj të fshehur poshtë disa thasëve të tjerë ngjyre të bardhë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 102 kg kanabis sativa, dy automjete të markave të ndryshme dhe tetë aparate celulare të markave të ndryshme.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al