Transmetuar më 22-04-2017, 14:50

I riu që u arrestua dje, me akuzën e të dyshuarit për vrasjen e 33-vjeçarit në lokalin me muzikë live në Vlorë ka pranuar para oficerëve në polici se ishte bashkëpunëtor në krim.

Një ditë pas arrestimit, Gani Tozaj 19 vjeç nga fshati Sevaster i Vlorës, ka pranuar se e ka qëlluar me armë viktimën, duke thënë se më parë mes tyre pati një sherr.

Mësohet se ai ka qenë në tavolinë me Aranit Kondaj dhe pranë tyre ka ardhur viktima Ergys Gjioveshaj. Pasi kanë debatuar për disa minuta mësohet se Ergysi ka qëlluar me pëllëmbë dikë nga personat që ndodheshin në tavolinë. Nga tavolina e Gani Tozaj janë nxjerrë armët dhe është qëlluar në drejtim të 33 vjeçarit.

Aranit Kondaj 37 vjeç dhe E..S 25 vjeç janë në kërkim për vrasjen. Ekspertiza ende nuk ka konfirmuar se kush ka qëlluar në drejtim të viktimës.

“Gjithçka nisi si një sherr banal. U zumë fillimisht me fjalë, pastaj nisi sherri mirë. Nuk e mora vesh më pas se çfarë ndodhi dhe pse u nxorën armët”- ka thënë ai. Gjatë arrestimit Tozaj strehohej në një banesë në lagjen “Ujë i Ftohtë”, pranë vendit të quajtur “7 pallatet”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në ambientet e lokalit ku dyshohet se pas një konflikti të çastit, është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë dhe ka humbur jetën shtetasi Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç, banues në Vlorë.

Krahas viktimës u plagosën tre persona të tjerë Florjan Hila, 28 vjeç i cili ndodhej një tavolinë pas viktimës, Arsonel Llanaj, 32 vjeç kamerier i lokalit dhe Arta Luka, 26 vjeçe e cila ndodhej bashkë me viktimën. Të tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në momentin e ngjarjes lokali ka qenë i mbipopulluar çka ka shkaktuar panik. /b.l/noa.al/