Transmetuar më 22-04-2017, 13:39

“Ndjeva shishen plastike në fytyrë. Më pas ai e derdhi të gjithë acidin në fytyrën time dhe u sigurua ta derdhte të gjithin pa mbetur asnjë pikë. Fytyra filloi të më digjte dhe dalëngadalë nuk po shikoja asgjë”.

Kështu e nis rrëfimin Gessica Notaro ish-miss Italia e vitit 2007 e cila u dogj me acid në fytyrë nga i dashuri i saj. E ftuar te shfaqja e Maurizio Constanzo për të treguar historinë, fillimisht 28-vjeçarja e ka pasur fytyrën të mbuluar me një shall, por më pas vendosi ta heqë atë duke iu drejtuar publikut: “Dua që të shikoni atë që më bëri ai”.

Pas ndarjes nga i dashuri Jorge Edson Tavares, i cili e keqtrajtonte, ajo vendosi ta denonconte në polici dhe kjo e fundit i dha urdhër që mos t’i afrohej. Disa muaj më vonë, ish-i dashuri mori hak kundër saj duke i hedhur acid në fytyrë dhe duke e shpërfytyruar.

Tashmë ai ndodhet në paraburgim në pritje të dënimit nga gjykata. “Pasi ai më hodhi acid në fytyrë, u ula në gjunjë dhe iu luta Zotit: Më merr bukurinë, por më lër pas shenjat”,- tha Notaro, e cila tregoi se kishte qenë në spital për 2 muaj pas sulmit të tmerrshëm, ndërkohë që vijonte me operacionet për plagët e marra.

Ajo tregon se fliste me vizitorët vetëm përmes një dritareje nga dhoma ku qëndronte, pa i takuar ata. Tashmë ajo duhet të presë sa të kryejë një operacion të plotë plastik që do ta lehtësonte nga barra e pamjes, por edhe e dhimbjes që përjeton, për të cilën shpenzon 600 euro çdo muaj.

Në fund ajo ka një mesazh për ish-të dashurin e saj. “Do të doja të më shikonte tani atë që bëri. Kaq dua”, tha Notaro.