Transmetuar më 22-04-2017, 11:30

Tre punonjës të Policisë Bashkiake në Tiranë janë vënë në pranga gjatë operacionit të koduar “Rrjeta”, pasi akuzohen se kanë marrë një shumë të caktuar parash në formë ryshfeti ndaj një biznesi në Tiranë duke e lejuar këtë të fundit të vendoste një tendë dielli.

Burime policore bëjnë me dije se në pranga janë vënë: Erjon Beca, 37 vjeç, me detyrë përgjegjës grupi pranë Policisë Bashkiake Tiranë për kontrollin e territorit, B.M., 25 vjeçe, banuese në Tiranë me detyrë punonjëse patrullës së policisë Bashkiake Tiranë dhe Astrit Breshani, 47 vjeç, me detyrë efektiv i patrullës së shërbimit në patrullën e Policisë Bashkiake Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pasi ditën e djeshme, rreth orës 16:00, në rrugën “Panorama” pranë ZVRPP, punonjësit e policisë bashkiake me automjetin e punës dyshohet t’i kanë marrë shtetasit J.M., një shumë prej 200 mijë lekësh të vjetra, për lejimin e një tende (rrjetë mbrojtëse dielli) në një pikë lavazhi në qytetin e Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 kartëmonedha me prerje 5.000 lekë të reja dhe 5 telefona celularë të markave të ndryshme.

Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike i kryer në bashkëpunim”. /b.l/noa.al/