Transmetuar më 22-04-2017, 10:25
Publicitet

Hyn në fuqi ligji për faljen e gjobave e kamatëvonesave për bizneset debitore si dhe për faljen e taksave e kamatave për automjetet, nis shqyrtimin në komisionet parlamentare. Sipas ligjit të botuar dje në Fletoren Zyrtare, i cili hyn në fuqi në fillim të majit, pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar asnjë taksë prej vitit 2011 e vazhdim dhe duan të çregjistrojnë mjetet e tyre duhet të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Rrugor katër dokumente. Siç shkruan “GSH”, pronari i mjetit do të përfitojë falje për të gjitha detyrimet në momentin që kërkon çregjistrimin e mjeteve dhe duhet të paraqesë: Lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe targat e mjetit.

Në rast se nuk ka këto dokumente i janë humbur ose vjedhur duhet të paraqesë denoncim nga policia. Procedura për çregjistrimin  mjeteve do të nisë menjëherë pas miratimit nga qeveria të draftin “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”. Drafti pritet të kalojë në mbledhjen e qeverisë dhe menjëherë pas miratimit Drejtoria Shërbimit të Transportit Rrugor do të përgatisë udhëzim për të gjithë mjetet që përfitojnë nga falja.

Falja e detyrimeve

Rreth 100 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre. Përfituesit janë ndarë në dy kategori. E para është për pronarët e mjeteve, të cilit prej vitit 2000 deri në 2011 nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makinat e tyre duan t’i nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjithë detyrimeve, d.m.th. të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja e fuqi i faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrim dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit.

Ndërsa pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, 2000 dhe deri në dhjetor të vitit 2011 nuk kanë paguar taksat dhe duan të mbajnë në qarkullim mjetin duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Skema është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat bëjnë të ditur që janë një pjesë e konsiderueshme mjetet, që nuk kanë përfituar nga amnistia e vitit 2009, pasi pronarët e tyre  nuk kanë aplikuar. Sipas të njëjtave burime për makinat që kanë detyrime për taksat dhe gjoba pas janarit 2012 do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore.

Taksat 

Të gjithë ata që kanë deklaruar me vonesë deklaratat e sigurimeve, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të pasqyrave financiare apo destinimit të fitimit mund të përfitojnë nga drafti i fundit i faljes fiskale, i cili parashikon fshirjen e gjobave prej 10 mijë lekësh për deklaratë, që vë automatikisht sistemi, në rast vonese, apo mosdeklarimi të tyre, falen edhe gjobat e listë pagesave që ka vendosur sistemi. Në ligj është parashikuar edhe afati kohor për të përfituar. Të gjitha deklarimet e padorëzuara duhet të mbyllen deri në fund të qershorit të këtij viti. Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave, janë, gjithashtu, objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin: dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar,  te llogaritura deri në datën 31.12.2016. Dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.