Transmetuar më 22-04-2017, 10:15

Roberto Romeo 57-vjeç, nga Italia ka fituar një çështje të rëndësishme gjyqësore me të cilën ai pretendonte se përdorimi i tepërt i telefonit celular i krijoi atij një tumor në tru.

Romeo tha se për shkak të detyrës së tij në punë ishte i detyruar të përdorte celularin e tij për të folur, tre deri në katër orë çdo ditë për gati 15 vjet. 57-vjeçari u diagnostikua me tumor në vitin 2010, pasi ishte ankuar se veshi i tij i djathtë ndihej i bllokuar gjatë gjithë kohës.

Por në heqjen e tumorit gjërat nuk shkuan siç priteshin, tumori ndodhej në një zonë delikate të trurit dhe mjekët u detyruan, që për të hequr tumorin, të hiqnin edhe nervin akustik të Romeos, duke e lënë atë të shurdhët në një vesh.

Për këtë arsye gjykata italiane i dha një pension 57-vjeçarit, prej 5 qind euro në muaj, i cili do të mbulohej nga INAL, një skemë kombëtare sigurimi që mbulon aksidentet në vendin e punës.

"Për herë të parë në botë, një gjykatë ka njohur një ngjarje që vjen si shkak i përdorimit të tepruar të telefonit celular, i cili ka shkaktuar një tumor në tru", thanë në një deklaratë avokatët e Romeo, Stefano Bertone dhe Renato Ambrosio.

Vendimi, i cili u dorëzua më datë 11 prill, por që u bë publik vetëm të enjten, është subjekt i një apeli të mundshëm.

Romeo tha se nuk donte të prishte imazhin e celularit, "por besoj se duhet të jemi më të vetëdijshëm se përdorimi më i madh mund të përbëjë rrezik, janë bërë edhe studime të tjera, por ekspertët thonë se është tepër herët për të bërë një vlerësim përfundimtar të asaj që është relativisht teknologji të re”, theksoi 57-vjeçari italian.

Dr David Jenkinson, zyrtari kryesor shkencor për tumorin në tru, shtoi se vendimi i gjykatës nuk ka ndryshuar provat. "Projektet kërkimore globale që janë kryer deri më tani, duke përfshirë qindra mijëra njerëz, kanë gjetur dëshmi të pamjaftueshme se përdorimi i një telefoni celular rrit rrezikun e zhvillimit të tumorit të trurit", përfundoi ai. /g.v/noa.al/