Transmetuar më 22-04-2017, 09:02

Kryeministri i vendit Edi Rama ashtu siç e ka bërë zakon edhe këtë mëngjes nuk ka harruar t’i përshëndesë ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Këtë herë Rama ka zgjedhur një video të veçantë që tregon transformimin e pikturës së famshme "Zonja e Shkodrës", ose sipas kreut të qeverisë rilindjen rrëqethëse të saj.

Rama thotë se kjo vepër i mbijetoi përndjekjes së regjimit komunist dhe harresës për 25 vite të tjera të institucioneve dhe se së shpejti do të shfaqet në Katedralen e Shkodrës.

“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një fundjavë të mbarë me këtë video të punës mbresëlënëse për restaurimin e pikturës së famshme të gojëdhënave të bukura "Zoja e Shkodrës". I’a vlen ta shihni çfarë rilindjeje rrëqethëse! Kjo kryevepër që i mbijetoi për habinë e një mrekullie përndjekjes së regjimit komunist, u përndoq për së dyti 25 vjet me radhë prej harresës së institucioneve që deri 3 vjet e gjysmë më parë, i lanë pasuritë e paçmueshme të thesarit të kulturës sonë në harresën e një shpërfilljeje rrënuese.

Por më 25 prill, në 550 vjetorin e ditës qëkur ikona e parë e Pajtores së Shqipërisë u përcoll mrekullisht nga Shkodra drejt Genazzano-s në Itali, ku ndodhet edhe sot , kjo kryevepër e 1800-ës do të rishfaqet e rilindur në Katedralen e Shkodrës, falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me laboratorët e ekselencës së institutit Palazzo Spinelli në Firence”, shkruan Rama. /b.l/noa.al/