Transmetuar më 21-04-2017, 20:57

Trupi i një shqiptari të gjetur pa jetë në Greqi, është bërë objekt kërkimesh policore në Atikë të Athinës, nën dyshimet e forta për një vrasje.

Krimi kishte ndodhur më 14 shkurt të këtij viti, por vetëm sot (e premte 21.04) policia greke njoftoi se ka arritur të zbardhë të dhënat mbi ekzekutimin e emigrantit 47-vjeçar shqiptar.

I ndjeri ishte masakruar duke marrë plagë të shumta në trup nga një sqepar apo sëpatë, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare të Policisë së Athinës.

Viktima u gjet në Shën Kozma të Atikës, ulur në një karrige të një lokali bar-kafene të mbyllur e braktisur.

Hetimi zbuloi se emigranti shqiptar u ekzekutua nga një 46-vjeçar, gjithashtu emigrant, por nga Iraku, të cilit i publikohet vetëm emri, Ali. Shqiptari njihej në zonë me emrin Ilia dhe jetonte aty prej vitesh.

Irakeni është arrestuar të premten nga specialistët antikrim.

Nga hetimet, policia zbardhi se mes dy emigrantëve kishte njohje të mëparshme. Që të dy takoheshin dhe kishin lidhje shoqërore të përditshme.

Pas prangosjes, irakeni tregoi se ishte ai që kishte marrë jetën 47-vjeçarit shqiptar. I dyshuari tha se krimi erdhi pas një përplasjeje të ashpër mes tyre.

Dy bashkëmoshatarët janë gjendur në barin e braktisur dhe aty janë konfliktuar.

Por shqiptari është vrarë pabesisht duke u torturuar me goditje nga pas.

Irakeni pranoi se rrëmbeu një sqepar dhe e qëlloi viktimën teksa gjendej ulur në karrige duke i rënë nga pas, deri sa e la të vdekur në vend.

Më pas u zhduk për t’i shpëtuar një kapjeje të mundshme nga policia. /a.b/noa.al/