Transmetuar më 21-04-2017, 19:41

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në aktivitetin e 100-vjetorit të lindjes të personalitetit të njohur të Skraparit, Kahreman Ylli, i cili është dekoruar me titujt “Mësuesi i Popullit” dhe “Nder i Kombit”.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vlerësoi kontributin e Kahreman Ylli si ish-Ministër i Arsimit dhe ish-rektor i Universitetit të Tiranës në luftën kundër analfabetizmit, por edhe për kontributin e dhënë lë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare duke u rikthyer në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në Lion të Francës.

“Sot kur të rinjtë tanë që studiojnë jashtë, për fat të keq një pjesë e mirë nuk dëshirojnë më të kthehen, ne Kujtojmë Kahreman Ylli, i cili iku nga Leshnja e Skraparit në Lion të Francës dhe mund të qëndronte atje. Por patriotizmi, atdhedashuria e kthyen për të ndihmuar jo vetëm vendin, popullin, por njëkohësisht edhe për të praktikuar atë profesion të mësuesit pranë vendit që kishte aq shumë nevojë”, – tha Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se figura e Kahreman yllit është një figurë mbarëkombëtare, e cila merret si shembull edhe në ditët e sotme për arsimin e të rinjve.

“Pa asnjë diskutim që figura e Kahreman Yllit është një figurë mbarëkombëtare, e cila i ka kapërcyer prej kohësh kufijtë e qarkut tonë.

Është një figurë e cila rrezaton kudo në të gjithë Shqipërinë, dhe sot në këto kohë sfidash të mëdha, kjo figurë na fton të jemi më të kujdesshëm për fëmijët, për të rinjtë e Shqipërisë, për t’i arsimuar më mirë, për t’i ndihmuar që të fitojnë sa më shumë dije, në mënyrë që të fitojnë të gjithë betejat e së ardhmes”,- tha Meta. /b.l/noa.al/